Raport Pune - Viti 2009

Ministria e Drejtësisë nuk i menaxhon gjykatat e prokuroritë, sepse ato janë kompetencë e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës. Ç’është e vërteta, prokuroritë kjo ministri i mbështetë vetëm në pikëpamje logjistike, por duke e respektuar plotësisht pavarësinë e tyre. Kështu, si forma të mbështetjes mund të veçohen:  mbështetja e stafit administrativ, mbështetja logjistike, që gjatë këtij viti janë mbështetë me shtrirjen e teknologjisë informative ne të gjitha Prokuroritë përmes një donacioni nga Komisioni Evropian, me blerjen e shumë kompjuterëve vetëm për prokurori si dhe është promovuar Raporti statistikor i punës për Prokuroritë e Kosovës për vitin 2008.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pothuaj të gjitha kompetencat që i kishte UNMIK-u, me përjashtim të menaxhimit të gjyqësorit dhe të prokurorive, i janë transferuar Ministrisë së Drejtësisë, kështu që mund të konkludohet se kjo Ministri është akoma në themelim e sipër, përkatësisht varësisht nga ligjet që lidhen me punën e saj e që miratohen nga Parlamenti i Kosovës. Sidoqoftë, këto kompetenca dhe përgjegjësi Ministria e Drejtësisë ka arritë t’i përmbush me sukses të plotë dhe t’i eliminojë të gjitha sfidat që ishin identifikuar në raportin e Progresit për vitin 2008.

Të arriturat dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë gjatë viti 2009.

Natyrisht, çdo vlerësim i drejtë i punës së Ministrisë së Drejtësisë vlerësohet në bazë të buxhetit që i është ndarë dhe në bazë të punës së të gjitha departamenteve, divizioneve e shërbimeve të saj dhe nga mënyra e shpenzimit të mjeteve të ndara me buxhet, andaj për punën konkrete të Ministrisë së Drejtësisë do të filloj nga sasia e mjeteve me të cilat dispononte  dhe nga mënyra e shpenzimit të tyre në vitin 2009.   

Me Ligjin për Buxhet bashkë me rishikim, Ministria e Drejtësisë për vitin 2009 ka pas në dispozicion 22.011.412.24 Euro. Prej këtyre mjeteve deri në dhjetor  2009 nga mjetet e disponuara janë shpenzuar rreth 94.5 %.

Projektet Kapitale


  • Ndërtimin e Burgut shumë modern për Dëshmitarë të Mbrojtur të Dënuar në Dubravë,
  • Ndërtimin e objektit të Prokurorisë së Qarkut dhe asaj Komunale në Prizren;
  • Renovimi i Prokurorisë Speciale të Kosovës (instalimi i sistemit elektrik dhe ndriçimi);
  • Ndërtimin e të ashtuquajturës “Dhomë Frigorifer”, blerjen e kasetave dhe të një frigoriferi të madh për Departamentin e Mjekësisë Ligjore – Zyra për persona të zhdukur , për vendosjen e mbetjeve mortore dhe për ruajtjen e 100 kufomave të freskëta që presin për obduksion, 100 ne te njëjtën kohe
  • Participimi në ndërtimin e Burgut të Sigurisë së Lart i cili do të ndërtohet bashkë me Komisionin Evropian
  • Renovimin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të Qendrës Korrektuese në Lipjan, Burgut të Dubravës (pavijonet veç e veç), të Qendrave të Paraburgimit dhe renovimi i plotë i Qendrës së paraburgimit në Prizren;
  • Vendosjen e kamerave për monitorimin e perimetrit të brendshëm dhe të jashtëm të Burgut të Dubravës, vendosjen e telave gjembor në perimetër prej 2,5 km, me çka është ngritë niveli i sigurisë dhe parandalimi i arratisjes nga Burgu i Dubravës dhe nga Qendrat e paraburgimit;
  • Ndërtimin e shtalles për mbajtjen e kafshëve shtëpiake në Burgun e Dubravës, të dhuruara nga Qeveria e Zvicres, për përmbushjen e nevojave ushqimore të të burgosurve;

Departamenti për Çështje Ligjore

Nga strategjia ligjore për vitin 2009, ky departament ka draftuar 13 nga 17 ligjet e planifikuara. Kanë ngelë pa u draftuar nga strategjia e vitit 2009: Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Ligji mbi detyrimet dhe Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, për shkak se këto ligje janë të një rëndësie të veçantë, janë voluminoze dhe kërkojnë përfshirje të një spektri të gjërë të ekspertëve dhe harmonizim me Konventa të shumta evropiane dhe standarde ndërkombëtare.

Prej 13 ligjeve të parapara me strategji janë draftuar,dorëzuara për miratim në Qeveri apo që janë miratuar në Parlament janë këto:

Ligji për Gjykatat
Ligji për Këshillin Gjyqësor,
Ligji për Prokurorin e Shtetit
Ligji për Këshillin Prokurorial
Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale
Ligji Kundër Korrupsionit
Ligji Kundër Konfliktit të Interesit
Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë 
Ligji për Themelimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore
Ligji për mjekësinë ligjore,
Ligji për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar,
Kodi i drejtësisë për të mitur
Ligji për Avokatin e Popullit,
 
Përveç hartimit të ligjeve të përmendura, Ministria e Drejtësisë ka qenë e kyçur në grupe të ndryshme punuese të Qeverisë për shqyrtimin e mbi 59 P/ligjeve, të 8 udhëzimeve administrative, të 5 strategjive  dhe në eliminimin e kolizioneve midis ligjeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ministria e Drejtësisë duke ushtruar autorizimin për përfaqësimin e institucioneve qeveritare në proceset e ndryshme gjyqësore sipas Ligjit për Menaxhimin e parasë publike, gjatë periudhës kohore 1 janar 29 dhjetor 2009 ka ushtruar apo pranuar 1680 raste kontestimore, jokontestimore, përmbarimore dhe administrative, ku ka të bëjë me paranë publike dhe  ka përfaqësuar Qeverinë e Republikës së Kosovës – Ministritë e saj në 785 procese gjyqësore, ndërsa komunat, me kërkesën e tyre, në  37 procese gjyqësore.


Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtarë

Divizioni për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë nga 1 janari deri më 20 dhjetor 2009 ka proceduar mbi gjashtë mijë (6000) raste të ndryshme - kërkesa për ekstradim, transfer të dënuarëve, transfero të kompetencave të procedurës penale, zbatim të kërkesave për kthimin e fëmijëve të rrëmbyer, ndihmë ndërkombëtare juridike në çështje civile, të gjitha këto brenda afatit rekord prej tridhjetë ditësh nga dita e pranimit të kërkesave, për çka ka marrë komplimente prej shumë qeverive e ambasadave në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur 30 Propozim Marrëveshje për Transferimin e Personave të Dënuar që do të nënshkruhen nga shtetet që e kanë pranuar shtetin e Kosovës; Marrëveshje për ekstradimin e personave në kërkim; bashkëpunim në çështjet civile e penale me këto shtete: Zvicrën, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë, Maqedoninë, Italinë, Turqinë, Shqipërinë, Belgjikën, Luksemburgun, Danimarken, Poloninë, Francën, Estoninë, Portugalinë, Bullgarinë, Hungarinë, Kroacinë, Çekinë, Letoninë, Finlandën, Austrinë, Holandën e tjera. 


Gjate këtij viti janë nënshkruar disa Memorandume Mirëkuptimi ndërministrore, Memorandumi i Mirëkuptimit me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Memorandumi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për finalizimin e Projektit për Ndërtimin e Burgut te Sigurisë se Larte; Memorandumi i Mirëkuptimit me Komisionin Gjerman për Ndërmjetësim; Marrëveshja me Agjencinë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim për realizimin e projektit të Mbështetjes për Sistemin Korrektues të Kosovës.

Sfidat e dala nga Raporti i Progresit për vitin 2008 janë eliminuar pothuaj të gjitha, kurse Sfidat e identifikuara me raportin e Progresit për vitin 2009, që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë, janë përfshirë me planin e punës për vitin 2010, disa prej të cilave tanimë janë të përmbushura, si për shembull: 

Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar penal dhe civil me shtetet e treta,  i cili deri në shpalljen e Pavarësisë ishte kompetencë e Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut në Ministrinë e Drejtësisë, me ç’rast ka pas edhe raste të pa proceduara e që janë proceduar nga kjo ministri;

Formimi i tri paneleve për lirim me kusht, i cili deri në shpalljen e Pavarësisë gjithashtu ishte kompetencë e Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut në MD;

Formimi i Komisionit për Ndërmjetësim, me të cilin do të fillojë zbatimi i Ligjit për Ndërmjetësim, pas disa trajnimeve që do të bëhen sipas Projektit të Binjakëzimit;

Funksionimi i të gjitha Zyrave për qasje në Drejtësi të komuniteteve  pakicë;

Në shtator të këtij viti ka filluar projekti i Binjakëzimit “Standardet e BE-së për Ministrin e Drejtësisë”, me reformën e përmbarimit të vendimeve gjyqësore dhe të akteve tjera administrative. 


Është hartuar Udhëzimi si akt nënligjor i Ligjit për Noterinë, me të cilin është hartuar Programi për dhënien e provimit të noterisë, sipas të cilit janë duke i ndjekë trajnimet 210 kandidatë.                                                    

 

Shërbimi Korrektues 

Të arriturat e Shërbimit Korrektues gjatë këtij viti janë: Trajtimi i të burgosurve konform standardeve ndërkombëtare, funksionalizimi i punëtorive për aftësimin profesional të të dënuarve në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe Qendrën Korrektuese në  Lipjan, krijimi i vendeve të punës për të burgosur, klasifikimi dhe ri-klasifikimi i të burgosurve sipas regjimeve, dhënia e beneficioneve për të burgosur , anëtarësimi i Shërbimit Korrektues në ICPA – Asociacionin Ndërkombëtar të Institucioneve Korrektuese dhe Burgjeve dhe prezantimi i zhvillimit të SHKK 1999 – 2009, strukturimi i stafit në Shërbimin Korrektues, profesionalizimi i stafit të Njësitit për Transportimin e të burgosurve, trajnimi i vazhdueshëm për ngritje profesionale të stafit të Shërbimit Korrektues në Kosovë dhe jashtë vendit, përmirësimi i kushteve të punës për staf, realizimi i të drejtës për kompensim në emër të rrezikshmërisë për stafin e uniformuar, zvogëlimi në minimum i dukurive negative në Institucionet Korrektuese (korrupsioni, kontrabanda etj), pajisja e stafit me mjete të sigurisë, pajisja me mjete të sigurisë për menaxhimin e dukurive negative, pajisja e të gjitha sanitarive me mjete të reja dhe ngritja e nivelit të higjienës në përgjithësi, marrja e të gjitha masave preventive kundër përhapjes së gripit AH 1N1, pranimi i Qendrës Korrektuese në Smrekovnicë nga Kontigjenti i KFOR-it francez, furnizimi me libra i të gjitha bibliotekave në institucionet korrektuese, sigurimi i truallit për ndërtimin e Burgut të sigurisë së lartë në Komunën e Podujevës, sigurimi i truallit për ndërtimin e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.


Shërbimi Sprovues

Gjatë periudhës, janar – dhjetor 2009 janë kryer me afat dhe me sukses të gjitha kërkesat dhe aktvendimet që kanë ardhur nga prokuroritë, gjykatat dhe Paneli për lirim me kusht në Shërbimin Sprovues të Kosovës. Janë hartuar 1560 anketa sociale, janë ekzekutuar 544 aktvendime për të mitur dhe madhor me masa dhe dënime alternative dhe janë mbikëqyrë mbi 140 persona të liruar me kusht nga burgu. Zyrtarët sprovues kanë marrë pjesë në 908 seanca gjyqësore për të mitur.


Stafi i Shërbimit Sprovues edhe gjatë këtij viti ka vazhduar trajnimin në kuadër të projektit “Drejtësia për të mitur”, duke u realizuar trajnimi i 10 zyrtarëve sprovues, të cilët janë përgatitur të punojnë si trajnerë. Është zhvilluar një vizitë studimore e 6 zyrtarëve të Shërbimit Sprovues në Shtuttgard.

Divizioni për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave

Ministria e Drejtësisë përmes Shërbimit për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave,  gjatë këtij viti ka ndihmuar në 822 raste, prej të cilave:

  • 636 raste kanë qenë dhunë në familje;
  • 26 raste kanë qenë trafikim me qenie njerëzore;
  • 60 raste të keqtrajtim i fëmijëve;
  • 40 raste dhunime seksuale dhe 60 raste tjera.


Në Shtëpinë e Përkohshme të Sigurt janë strehuar 23 viktima të trafikimit, prej tyre 12 viktima nga shteti ynë dhe 11 viktima të trafikimit nga vendet tjera.

Departamenti për Mjekësisë Ligjore dhe për persona të zhdukur


Mjekësia Ligjore gjatë vitit 2009, janë kryer gjithsej 135 operacione fushore, duke përfshirë edhe zhvarrimet. Numri i zhvarrimeve është 78, numri i mostrave të eshtrave të pranuara për analiza të ADN-së është 621, numri i individëve të zhvarrosur është 101, numri i vizitave tek familjet është 82, numri i të vdekurve të dorëzuar tek familjet është 80, numri i individëve të identifikuar e që presin dorëzim-pranimin (me dëshirën e familjeve janë në pritje) është 154, takime të mbajtura me Asociacionet e Familjeve, Familjet dhe OJQ-të (me përjashtim të Dorëzim Pranimeve dhe Vizitat tek Familjet) numri është 101, ndërkaq numri i dokumenteve informuese të lëshuara për shoqërinë civile është 16. 


Gjithashtu, në këtë periudhë në afat rekord prej 40 ditëve është ndërtuar dhe kompletuar me kaseta speciale edhe “Dhoma frigorifer”, e cila shërben për vendosjen e mbetjeve mortore të personave që presin identifikimin por edhe në raste të freskëta.

Vlen të theksohet se vetëm gjate tremujorit të fundit janë  kryer  këto punë : “375 mostra të reja i janë dërguar ICMP-së në Sarajevë dhe Tuzëll dhe atë vetëm të Bajna Bashta dhe Batajnices. 160 rezultate pozitive janë kthyer nga ICMP-ja, prej të cilave 34 kanë rezultuar me identifikime të reja, kurse tjerat janë ribashkim. Janë kryer 26 ekshumime, ku janë gjetur 33 trupa të rijë,të cilat u janë kthyer familjarëve për rivarim.


Auditimi

Auditimi i brendshëm ka rezultuar me raporte përmbyllëse të auditimit në: Shërbimi Korrektues i Kosovës (Parat Private të Burgosurve), Departamenti i Prokurimit (Kontratat Afatgjata), Departamenti i Prokurimit (Investimet Kapitale), Departamenti i Administratës dhe Personelit (Shpenzimet e Përgjithshme të MD-së), Departamenti për Qasje në Drejtësi (Menaxhimi i Automjeteve të SIGJ-DQD-MD). Departamenti për Qasje në Drejtësi (Menaxhimi i Shtëpisë së Përkohshme të Sigurt, Departamenti i Prokurimit (Auditim i Veçantë).

Auditimi i jashtëm, Ministria e Drejtësisë ka pranuar Raportin e Auditorit Gjeneral dhe është angazhuar që t’i implementojë me përpikëri të gjitha rekomandimet e dhëna në atë raport, për të cilat mund të themi se janë implementuar në masën 80-90%.


Disa nga aktivitetet e Ministres së Drejtësisë

Përveç detyrave të përditshme që ka, ministrja e drejtësisë ka pritë ministra të drejtësisë të disa shteteve, ambasador të të gjitha shteteve që kanë ambasadat në Kosovë, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të cilat e mbështesin këtë ministri në forma të ndryshme, ka takime javore me përfaqësuesin e EULEX-it, të USAID-is dhe kryen aktivitete në cilësinë e anëtares së Bordit për sundimin e ligjit e tjera.

Ministrja ka marrë pjesë në 4 konferenca ndërkombëtare (dy herë në Bruksel, ku janë trajtuar krimi i organizuar dhe trafikimi me qenie njerëzore,në Forumin Krans Montana në Paris dhe në Firencë, ku është trajtuar heqja e dënimit me vdekje në ato shtete ku akoma zbatohet dënimi me vdekje, ka realizuar vizitë studimore në Finlandë, Shqipëri dhe Turqi për modernizimin e burgjeve; ka marrë pjesë në konferencën e organizuar në Prishtinë për procesin kundër Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në hapjen e Projektit për trajnimin e prokurorëve, në Konferencën ndërkombëtare të mbajtur në Prishtinë për reformën e përmbarimit të vendimeve gjyqësore, ka marrë pjesë në reformën e drejtësisë për të mitur në Tiranë, ka marrë pjesë në Hapjen e punës së Grupit punues për hartimin e Ligjit për Detyrimet, ka marrë pjesë personalisht në draftimin e ligjeve tjera, ka themeluar Ditën e Drejtësisë më 15 janar 2009, e cila do të shënohet çdo vit, e tjera.

 

Sfidat

  • Gjatë vitit 2009 si sfida kryesore mund të konsiderohen:
  • Eliminimi i sfidave të identifikuara me Raportin e Progresit për vitin 2009, të cilat sfida janë pjesë e Planit të punës së Mistrisë për vitin 2010;
  • Angazhimi maksimal në identifikimin e të gjitha mbetjeve mortore dhe e hapjes së varreve aty ku dyshohet se nuk është bërë identifikimi,
  • Krijimi i hapësirave për punë për Ministrinë e Drejtësisë, e cila është e akomoduar në katër objekte private, gjë që po pengon mbarëvajtjen e punësisë Administratës së Ministrisë, 
  • Ndërtimi i Institutit për persona me të meta psikike të cilët kanë kryer vepra penale.
  • Themelimi i Agjencionit për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, që është obligim ligjor sipas ligjit.
  • Funksionalizimi i Burgut të Smrekovnicës dhe i Burgut për dëshmitarët e mbrojtur që janë të dënuar e tjera.
  • Eliminimi i shumicës së sfidave varet nga mjetet financiare, të cilat për vitin 2010 janë mjaft të kufizuara me Ligjin për Buxhet”.


Lista e kandidateve të cilët e kanë kaluar provimin e Jurisprudencës në afatin e shtatorit

Duke u bazuar në Ligjin Nr. 04/L-141 neni 12 paragrafi 8 dhe 9 për Provimin e...më shumë

Listën e kandidatëve të cilët e kanë kaluar me shkrim provimin e Jurisprudencës

Duke u bazuar në Ligjin Nr. 04/L-141 neni 12 paragrafi 8 dhe 9 për Provimin e...më shumë

Arkivi i Lajmeve

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30

Ministria e Drejtësisë në: