Shërbimi Sprovues i Kosovës

Shërbimi Sprovues i Kosovës, përkatësisht Shërbimi për Ekzekutimin e Dënimeve Alternative dhe Riintegrimin Shoqëror të personave të dënuar, është përgjegjës për Ekzekutimin e dënimeve dhe masave alternative, mbikëqyrjen, risocializimin, riintegrimin dhe rehabilitimin e të gjithë personave që kanë kryer vepra penale të ndëshkueshme sipas ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Misioni:

Bazuar në përgjegjësitë e tij, misioni i Shërbimit Sprovues është “reduktimi i krimit, zvogëlimi i shkallës së recidivizmit, krijimi dhe rritja e sigurisë për shoqërinë tonë”.

Baza ligjore për punën e Shërbimit Sprovues të Kosovës e përbëjnë këto ligje: Kodi Penal i Kosovës, Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Drejtësisë për të Mitur dhe Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale

Roli dhe rëndësia:

Duke u nisur nga mandati dhe përgjegjësitë e SHSK-së, roli dhe rëndësia e këtij shërbimi është e shumanshme. Në radhë të parë rëndësia e SHSK-së duhet të shihet si një mënyrë e kursimit të buxhetit të shtetit, sepse në vend se një person të qëndroj në burg dhe të krijoj shpenzime (së paku 15 € në ditë), ai mund të mbikëqyret, por edhe të punoj gjatë ekzekutimit të masave dhe dënimeve në liri. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të kursehej buxheti, por edhe do të shkarkoheshin burgjet nga mbipopullimi, do të humanizohej dënimi dhe do të shfrytëzohen kapacitetet e komunitetit. Të gjitha këto do të bënin të mundur risocializimin dhe riintegrimin më të lehtë në shoqëri, të personave që bien në kundërshtim me ligjin.

Historiku:

Ky shërbim filloi punën si i pari shërbim i këtij lloji në Ballkan, me datën 02. Dhjetor, 2002, si pilot projekt në Prishtinë, nën kompetencat e Divizionit të Menaxhimit Penal/Departamentit të Drejtësisë (shtylla e I-rë e UNMIK-ut), me 5 anëtarë të stafit lokal dhe deri më tani Shërbimi Sprovues ka pranuar në punë edhe tri gjenerata zyrtarësh.

Me rregulloren e UNMIK-ut 2006/26, të datës 27 Prill 2006, kompetencat për Shërbimin Sprovues të Kosovës nga Departamenti i Drejtësisë, kalojnë në Ministrinë e Drejtësisë.

Struktura organizative:

Shërbimi Sprovues i Kosovës, në kuadër të strukturës së saj organizative ka:
• Drejtorinë e Përgjithshme, në kuadër të së cilës janë dy divizione: Divizioni për Lirim me Kusht dhe Divizioni për Ekzekutimin e Masave dhe Dënimeve Alternative.
• Drejtoritë regjionale, të cilat janë të vendosura në ato regjione ku ekzistojnë Gjykata të Qarkut, si në: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë dhe Gjilan.

Shërbimi Sprovues i Kosovës për ta realizuar misionin, qëllimin, detyrat dhe përgjegjësitë e tij, bashkëpunon me shumë institucione qeveritare, organizata ndërkombëtare dhe OJQ të ndryshme. Në radhë të parë këtu mendohet për institucionet dhe agjensionet të cilat në një mënyrë ose tjetër janë të lidhura me punën e SHSK-së, pra që kanë të bëjnë me risocializimin, rehabilitimin dhe   riintegrimin në shoqëri të gjithë atyre që kanë ra ndesh me ligjin.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Shërbimit Sprovues të Kosovës

Shërbimi për Ekzekutimin e Dënimeve Alternative dhe riintegrimin shoqëror të personave të dënuar (më tej Shërbimi Sprovues) ka këto detyra dhe përgjegjësi:
• Përgatitjen e anketës sociale dhe raportet para ndëshkuese për kryerësit e veprave penale;
• Ekzekutimin e masave dhe dënimeve alternative për persona të mitur dhe madhorë;
• Përpilimin e planeve dhe programeve individuale të mbikëqyrjes për
risocializimin dhe riintegrimin në shoqëri të personave të mitur dhe madhorë të dënuar me masa dhe dënime alternative;
• Mbikëqyrjen dhe ndihmën e personave të mitur të dënuar me masa të diversitetit, masa edukative dhe dënime alternative;
• Mbikëqyrjen dhe ndihmën ndaj personave të dënuar gjatë mbajtjes së dënimeve alternative;
• Mbikëqyrjen dhe ndihmën ndaj kryerësve të varur nga droga ose alkooli të cilët i nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm rehabilitues, i cili mbahet në liri;
• Mbikëqyrjen dhe ndihmën ndaj personave të dënuar të liruar me kusht;
• Bashkëpunimin e me të gjitha institucionet tjera qeveritare dhe jo qeveritare, të cilat kanë për synim risocializimin dhe riintegrimin në shoqëri të personave të dënuar me masa dhe dënime alternative;
• Nxjerrjen e dokumenteve, rregulloreve dhe akteve të brendshme nënligjore me të cilat rregullon punën dhe funksionimin në nivel shërbimi;
• Sigurimin e përmbushjes së detyrave ligjore në zbatimin e ligjit dhe të dispozitave tjera nga fushëveprimi i Ministrisë;

Shërbimi Sprovues i Republikës së Kosovës, anëtar i Organizatës Evropiane të Sprovimit(CEP)

Shërbimi Sprovues i Kosovës është pranuar më 31 janar 2011 në Organizatën Evropiane të Sprovimit (CEP), si anëtar i barabartë dhe me të drejta të plota.
Kërkesa formale për anëtarësim në këtë organizatë është bërë në dhjetor të vitit 2010. Si rezultat i anëtarësimit të Shërbimi Sprovues të Kosovës në këtë organizatë Evropiane është edhe vizita zyrtare e Z. Leo Tigges , Sekretar i Përgjithshëm i CEP-it që i bëri Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës më 03. Prill 2012.
Qëllimi i kësaj vizite zyrtare ishte fuqizimi dhe përkrahja e Shërbimit Sprovues të Kosovës si anëtar i CEP-it.

Objektivat e Shërbimit Sprovues të Kosovës për vitin 2013


Shërbimi Sprovues i Kosovës duke u bazuar në reformat  në Sistemin e Drejtësisë, si dhe  nga mandati dhe përgjegjësitë që dalin nga legjislacioni përkatës, ka për synim  zhvillim sa më te suksesshëm. Për këtë qëllim  ka paraparë  këto objektiva:  
                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               
1.    Nënshkrimi i Marrëveshjeve të bashkëpunimit në mes Ministrisë së Drejtësisë/SHSK-së/ dhe Ministrive tjera  të linjës

Marrëveshjet e  bashkëpunimit kanë për qëllim krijimin, zhvillimin, si dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet  Ministrisë së Drejtësisë/SHSK-së/ dhe Ministrive të linjës në ofrimin e mbështetjes për ekzekutimin e masave dhe dënimeve alternative të personave që janë në mbikëqyrje të SHSK-së.
 
2.    Hapja e Drejtorive Regjionale të Shërbimit Sprovues të Kosovës në Ferizaj dhe Gjakovë

Këto drejtori regjionale do të hapen konformë strukturës organizative të gjykatave në nivele regjionale sipas Ligjit të ri mbi Gjykatat.

3.    Hartimi i Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve i`u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës dhe Panelit për Lirim me kusht

Ky ligj  ka rëndësi të shumëfishtë për rritjen e sigurisë publike dhe garanton zbatim më efektiv të vendimeve gjyqësore dhe Panelit për Lirim me Kusht.

Shkarko Dokumentin - Raporti i punës i Shërbimit Sprovues të Kosovës, janar-dhjetor 2009

Drejtoreshë e Përgjithshme e SHSK-së është Znj. Metije Ademi

Kontakti:
E-mail:
Metije.Ademi@ks-gov.net;
Tel 038/200 18 321
Adresa:
Ministria e Drejtësisë
Ndërtesa e ish Rilindjes
Kati VI, Zyra 604
Prishtinë, Kosovë

Arkivi i Lajmeve

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30

Ministria e Drejtësisë në: